Para 19 viteve, kur Instituti i Historisë në Kosovë kishte organizuar simpoziumin për jetën dhe veprën e Isa Boletinit, me atë rast kisha përgatitur kumtesën: “Portreti i nënës së Isa Boletinit”. E punova gjatë dhe, me një përkushtim shkencor, por nga ajo që mëtoja, më dolën dhe u hapën shumë vështirësi e dilema. Në shkrime të ndryshme, por kuptohet dhe në kohë të ndryshme, heroit dhe atdhetarit të madh kombëtar Isa Boletinit iu kishin qas dhe trajtuar në mënyra të ndryshme, ose, kishte periudha kohore-historike kur mungonin tërësisht ose fare të pakta ishin shkrimet për të. Të tëra këto oscilime që i hetova në shkrime, më imponuan që mos të jem indiferente ndaj një të kaluare të lavdishme dhe ndaj vlerave të mirëfillta atdhetare të historisë sonë. Nga ana tjetër edhe si sfidë mu duk, që, më këtë rast të trajtojë figurën e Isa Boletinit në historiografinë shqiptare.
SabileKeçmezi-Basha
Më se gjysmë shekulli, historia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH), në ish-Jugosllavi, herë-herë ishte e kualifikuar si veprimtari antishtetërore dhe herë-herë mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore të shkallës më të lartë- si tabu temë.
Mbyllja apo seleksionimi që u bëhej disa dokumenteve arkivore dhe censura e hekurt që aplikohej në vendin tonë, kontrolli i plotë i shtypit, medies dhe mungesa e “rrjedhës” së informacionit, propaganda mbi “sukseset” e regjimit, kishin si qëllim të pengonin të vërtetën për historinë dhe historiografinë shqiptare. Nga kjo del e dhëna se, shteti totalitar i Jugosllavisë, duke politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare, nuk la pa prekur as historiografinë. Ky politizim u shfaq në faktin se gjithë zhvillimin e proceseve historike e lidhte vetëm me faktorin serbo-sllavë, me rolin e shtetit dhe luftën e tyre për çlirim. Në shkrimet dhe punimet e ndryshme të gjitha ngjarjet dhe figurat shqiptare vlerësoheshin vetëm sipas kutit të historiografisë serbe. Me këtë trajtim të një anshëm, historia kombëtare shqiptare ishte jo vetëm bardhë e zi, por dimensionet kombëtare të saja tkurreshin e ngushtoheshin deri në pa besueshmëri. Gjatë tërë kësaj periudhe (1945-1990), nga historia shqiptare u mënjanuan ose fare pak u shkrua për ngjarje e figura të shquara të kombit. Bile-bile, shkohej aq larg sa këto, të fundit, ishin trajtuar si forca reaksionare dhe antikombëtare.
Në rrugën e gjatë të lëvizjeve për çlirim, bashkim dhe përparim të kombit, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë një vend meritor e zë figura atdhetare e Isa Boletini, i cili ishte pjesëmarrës i dalluar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Megjithatë, figura e Isa Boletinit u vlerësua lartë në çdo kohë dhe në çdo periudhë, me oscilime të herë-hershme në shkrimet e ndryshme të kohës, si dhe nga shumë autor të huaj që janë marrë me problemet e LKSH-së.
Duke shfletuar bibliografinë e punimeve që u shkruan për Isa Boletinin, nuk më ka rastisur që të hasja në ndonjë shkrim për të, që ishte shkruar para LDB. Pas përfundimit të saj, megjithatë fillon një periudhë, ku më tepër thellohen studimet për Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Një rëndësi e veçantë Isa Boletinit iu kushtua dhe iu dha, deri diku pas viteve 1945, por në vitet e 70 të shekullit XX, marrinë hov më të shprehur shkrimet për jetën e veprën e Isa Boletinit.
Brenda mundësive që kam pasur, dhe konsultimit të shumë veprave e shkrimeve që kamë bërë në historiografinë shqiptare, më ka rastisur që emri i Isa Boletinit të zë një vend meritor në “Historinë e Shqipërisë”vëllimi i dytë, (Botim i Universitetit të Tiranës, 1965; Më vonë, në vëllimin e II e të III , Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 1984. Në këto vëllime u theksua dukshëm roli i Isa Boletinit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për liri dhe pavarësi dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Jepet kontributi i tij ne kryengritjet e mëdha 1910-1912. Përmendet ne faqet 438 e deri në faqen 490. Në këtë vëllim jepet edhe fotoja e tij bashkë me IsmailQemalin.
Një prezantim dinjitozë i bëhet figurës së Isa Boletinit edhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” botuar më 1985, f. 107-108. Po ashtu Heroi i Kosovës prezantohet edhe në “Fjalori Enciklopedik shqiptar” pjesa e parë, Tiranë 2008, nga studiuesja Fatmira Musai në faqen 276-277. Isa Boletini në këtë shkrim e shoqëron edhe një fotografi.
Prezantimi i Isa Boletinit na paraqitet edhe në ribotimet e tjera të mëvonshme, si “Historinë e Popullit Shqiptar”, ribotuar më 1984.
Libri i parë biografik i zgjeruar për figurën e Isa Boletinit është shkruar nga SkenderLuarasi, Tiranë, më 1971. Por një vit më vonë (1972),po i njëjti libër ribotohet edhe në Prishtinë, nga “Rilindja” Në këtë libër autori Luarasi kryesisht është mbështetur në kujtimet e bashkëkohanikëve të atdhetarit dhe mendoi se ky libër pati vlerën e vet se për herë të parë popullarizoi veprën atdhetare të Isa Boletinit.
Ndërsa me argumente shkencore për jetën e veprimtarinë e Isa Boletinit, ka shkruar Profesoresha e nderuar dr. Fatmira Musai, në librin “Isa Boletini”[7], botimi i parë më 1987, nga Instituti i Historisë në Tiranë, dhe më 2004 e riboton librin po me të njëjtin titull. Prof. Musai, njëherit na ofron të dhënat më të kompletuara që më vonë shumë shkencëtar i përdorën dhe i përdorin si të dhëna relevante për shkrimet e tyre. Fatmira Musai, në shkrimet e saja, jo, që na lë trashëgim një vepër të çmuar shkencore, por edhe me një guxim të pakrahasueshëm iu qas dhe iu rrekë hulumtimeve për këtë figurë emblematike të kombit shqiptar. Ajo gjurmoi në Arkivin shtetëror të Shqipërisë me muaj të tërë, vetëm e vetëm që të zbardhë dhe të dëshmoi se patrioti i madh, ishte një atdhetar i padiskutueshëm, që ndikoi shumë në rrjedhat e historisë.
Figura e Isa Boletinit, është trajtuar në aspektin shumë dimenzional nga historianët dhe të tjerët si në Kosovë dhe në Shqipëri. Më vitin 1969 botohet punimi i parë nga:
- FetahBahtiri “Rezistenca e shqiptarëve të Selacit ndaj turqve në fillim të shek. XX, në revistën “Përparimi”, nr. 4. 1969,
- ShukriRahimi, Kryengritjet shqiptare në Kosovë1909-1912, Kosova, nr. 1. 1972,
- PajazitNushi, Isa Boletinidhe roli i tij në luftën e popullit shqiptar për çlirim nacional, Përparimi, nr. 3, 1979, Prishtinë,
- TahirAbdyli, Tribuni popullor i bashkëjetesës “Kosova” , nr. 15, 1986;
- Gazmend Shpuza, Disa mendime rreth pikëpamjeve politike të Isa Boletinit,Koncepti i tij për autonomin e Shqipërisë, “Buletini shkencor”, Instituti i Lartë Pedakogjik Shkodër, nr. 1. 1988,
- Fatmira Musai, Isa Boletini në luftë për liri dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, Konferenca Kombëtare kushtuar 80 vjetorit të pavarësisë, Tiranë 1982
- FehmiPushkolli, Arti Ushtarak i Isa Boletinit,Prishtinë,
Por, pas vitit 1990, kur në Kosovë fillon të jetësohej sistemi shumë partiak (megjithëse i kufizuar), por, kjo kohë ishte ende në kapërcyell, kur ndërgjegjja intelektuale haptas dhe më këmbëngulje u vu në mbrojtjen e popullit të vet dhe filloi të shkruante për të kaluarën e afërt nga një kënd tjetër, kur shkrimet historike, publicistike dhe politike filluan me rebelizëm të mos respektojnë censurën e hekurt serbo-jugosllave dhe të zhvishen nga ideologjizmat e censurat e ndryshme. Pikërisht atëherë, kur të dhënat historike filluan të quhen me emrin e vërtet e shkencor- fakte historike, veprimtaria e Isa Boletinit filloi të prezantohet, më me guxim dhe në vend më meritor.
Botimet për jetën dhe veprën e Isa Boletinit nuk mungojnë edhe në vitet e më vonshme. Në kushte okupimi, kur vështirë ishte të qëndroje vertikalisht, e ishte edhe më vështirë të organizoje diçka, atëherë kur nuk organizohej asgjë, por me entuziazmin e dashurisë për lirinë, më 1996, Instituti i Historisë në Prishtinë, për nderi të 80 vjetorit të rënies të Isa Boletinit, organizoi sesionin shkencor të titulluar “Isa Boletini dhe Koha e tij”, ku merrnin pjesë shkencëtar-historian të periudhave të ndryshme. Në aspekte gjithëpërfshirëse e të nduarndurshme u trajtua jeta dhe vepra e atdhetarit. Por, për hir të situatës së rëndë që mbretëronte në vend punimet e këtij sesioni u botuan pas dy vitesh nga Instituti i Historisë më 1998, në të cilën u përfshin 17 kumtesa shkencore. Por me këtë rast do i përmendi vetëm disa nga ato si:
- Jusuf Bajraktari, Relacionet e Isa Boletinit me Bajram Currin;
- Fehmi Rexhepi, Isa Boletinidhe koha e tij;
- Emine Bakalli, Shkrime disonance për Isa Boletinin;
- Xheladin Shala, Veprimtaria kombëtare e Isa Boletinit në vitet 1912
-1916;
- Isa Bicaj, Relacione të Malit të Zime Isa Boletinin;
- Limon Rushiti, Isa Boletinidhe kryengritjet shqiptare të vitit 1913-1915;
- Izber Hoti, Roli i Isa Boletinit në LKSH në Shalë , në Llap dhe Gallap (1908-1912);
- RamizAbdyli, Isa Boletininë kryengritjen e përgjithëshmeantiosmane të vitit 1912, sipas burimeve Bullgare;
- SabileKeçmezi-Basha, Portreti i nënës së Isa Boletinit,etj
Heroi gjithëkombëtar, përfshihet edhe në punime ku nuk është temë trajtimi ai vetë, por aty ku gërshetohen luftërat për pavarësi me atdhetarët e tjerë po të asaj kohe, si në fejtonet e Mr. SadullaBrestovcit, që i prezantohen publikut të gjerë nëpërmes gazetës së përditshme shqiptare “Rilindja”, me fejtonin e titulluar “IdrizSeferi – Kreshniku i Karadakut”, (në 20 vazhdime), Rilindja, janar 1979. Po ashtu në librin e ShukriRahimit: “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912”, Prishtinë 1968; “Mitrovica dhe rrethina”, Mitrovicë, 1979. Po në të njëjtin vit studiuesi ZekiriaCana boton librin “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë në vitit 1908-1912”, Prishtinë, 1979; TafilBoletini, Pran Isa Boletinit, Kujtime 1 (1892-1916), Tetovë 1986, Përgaditur nga MarenglenVerli, e shumë e shumë punime të tjera.
Duhet thënë, se për jetën e veprën e Isa Boletinit u shkrua shumë, sidomos me rastin e përvjetorëve të lindjes e të vdekjes së heroit, në shtypin e përditshëm duke e përkujtuar me pietet të thellë.
Duke pasur parasysh rezistencën e vazhdueshme dhe sakrificën e kësaj familje, e gatishmërinë për t’iu kundërvënë çdo zaptuesi e robëruesi të huaj në mbrojtje të vatrave familjare e kombëtare, në mbrojtje të nderit familjar e kombëtar, në mbrojtje të popullit e atdheut të vet, familja Boletini u bë e njohur jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet shqiptare e më gjerë.
Dhe, krejt në fund, duhet shtuar se, hulumtimi e studimi i jetës dhe veprës së Isa Boletinit është i lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri, dhe se emri dhe veprimtaria e tij ngrit e lartëson historinë kombëtare, për të cilin, ka për çka të shkruhet dhe çka të thuhet, se me këto shkrime që u përmenden më lartë mendojë se megjithatë, ende nuk kanë shteruar të dhënat për jetën dhe veprën e atdhetarit.
SabileKeçmezi-Basha,Trajtimi i figurës së Isa Boletinit në historiografinë shqiptare, (Përmbledhje punimesh nga konferenca shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, 5 qershor 2015), Prishtinë 2015.
/Punimi me fusnota ne redaksi/