Ramadan Polluzha u varros me nderime ushtarake

1

 

Është varrosur në Polluzhë, Ramadan Polluzha, djali i fundit i heroit Shaban Polluzha. Ramadani ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.  Varrimi i të ndjerit u bë  në  varrezat e fshatit Polluzhë  me nderime ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe  në praninë e një numri të madh të qytetarëve të Drenicës. Pjesëmarrësit që erdhën nga Sanxhaku i Novi Pazarit për ta nderuar familjen dhe të ndjerin e kanë bërë varrimin edhe më madhështor.

2 

Në mbledhjen komemorative të mbajtur në oborrin e shkollës, e cila mban emrin e heroit  Shaban Polluzha, para të pranishmëve folën udhëheqësit komunal dhe personalitete shkencore e akademike nga Kosova dhe Shqipëria.

3

Fjala lamtumirëse e Sulejman Uglaninit liderit të Sanxhakut i cili i  priu delegacionit prej 30 anëtarëve, ngjalli emocione të papërshkrueshme. Në mes të tjerash Uglanin tha: “Kemi ardhur  sot  te vllaznit tanë, këtu në Drenicë, në emën të popullit të Sanxhakut,  te familja e Shaban Polluzhës, te familja e atij  burri i cili me ushtrinë e vet erdhi që ta mbronte popullin tonë nga shfarosja  çetnike. Ne  ia kemi borxh kësaj familje falënderimin për kontributin të cilin e ka dhënë  mixha Shaban, i cili flijoi edhe  familjen e tij për ta shpëtuar popullin tonë nga shfarosja.  Një delegacion i yni dhe të rinjtë tanë patën fatin që axhen Ramdan ta vizitojnë para dhjetë ditëve sa ishte ende gjallë dhe ky fakt na benë të lumtur dhe krenar. Sot jemi këtu ta nderojmë për herë të fundit dhe Zoti ju lasht shnosh’. Në fund të fjalimit Uglanin shtoi:”Me këtë rast dua  të shpresoj se ardhja e jonë sot këtu do ti shërbej ngritjes së përafrimit dhe vazhdimit të bashkëpunimit tone vëllazërore, si dikur kur ishim në kohërat më të vështira”.

1

Në moshën 17 vjeçare Ramadan Polluzha i ishte bashkangjitur babait të tij, Shabanit, në Brigadën e Drenicës, në të cilën ai ishte komandat deri në rënien e tij më 22 shkurt të vitit 1945. Ramadani e mbajti amanetin që ia kishte dhënë e babës  dhe nuk lejoi që kufoma të binte në duart e armikut. Ramadani ka qenë njëri nga  4 djemtë dhe 7 vajzat e Shaban Polluzhës.