Kur shqiptarët vranë dy konzuj rusë

daut

 

Serbia dhe Mali i Zi u ndanë të paknaqura me rezultatin e luftërave ballkanike pasi që nuk i morën të gjitha tokat shqiptare siq planifikuan së bashku me Greqinë. Krijimi i shtetit shqiptar ishte problem i madh për lëvizjen pan sllave. Serbisë nuk iu lejua të ngopej me toka shqiptare dhe ajo vendosi të zgjerohej duke e përfshirë territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe për këtë arsye e organizoi vrasjen e Franc Ferdinandit në Sarajevë.

Rreziku që vinte nga lëvizja pan sllave i detyroi shqiptarët t’i rezistonin kësaj ideje që ishte vdekjepruese për ta. Në fillim të vitit 1903 Fuqitë e Mëdha e detyruan sulltanin që ta pranonte hapjen e konzullatës ruse në Mitrovicë e cila e kishte për detyrë mbrojtjen e të krishterëve sllavë të cilën e kundërshtuan shqiptarët. Aksioni i parë i shqiptarëve kundër levizjes pan sllave është vrasja e konzullit rus Grigorije Stepanovič Šcerbin që u bë në Mitrovicë me 18 mars 1903. Edhe më herët, por sidomos nga ky vit, nacionalizmi shqiptar vazhdoi të zhvillohej edhe si rezultat i rezistencës anti sllave.

Me 8 gusht 1903, një ushtar shqiptar në Manastir vrau edhe një konzull rus i cili quhej Aleksandar Arkadieviq Rostkovski. Kjo nuk ishte vrasje politike sikur ajo në Mitrovicë por përfundoi si e tillë. Konzulli rus, Rostkovski, e kishte një shprehi të keqe. Ai në dorë e mbante gjithmonë një kamxhik dhe me te, kur ecte në këmbë ose nga pajtoni, i kamxhikoste njerëzit rrugës. Njëherë, siq rrëfen Edith Durham, konzulli i kishte rënë kamxhik një gruaje dhe fëmisë që ajo e mbante për dore. Dhe, kështu Rostkovski i kamxhikoste njerëzit derisa një ditë ‘ra në një hundëlesh’ siq thotë populli.

Në mëngjesin e 8 gushtit pajtoni i Rostkovskit po i afrohej një post blloku ushtarak në dalje të qytetit (Manastirit). Një ushtar shqiptar po qëndronte ulur dhe nuk po ngritej në këmbë për ta përshëndetur karrocën që përfaqësonte Rusinë cariste në Manastir, veprim të cilin e priste Rostkovski. Prandaj, Rostkovski doli nga pajtoni për ta qortuar ushtarin ose ndoshta edhe për ta kamxhikosur siq e kishte shprehi. Kur ushtari shqiptar e kishte vërejtuar se rusi po i afrohej duke bërtitur, ishte ngritur në këmbë, e kishte drejtuar pushkën duke e marrë në shenjë konzullin dhe ia kishte ngrehë këmbëzën. Rostkovski, kishte rënë përtokë duke dhënë shpirt në vend. Pastaj, nga karroca kishte dalë mësuesi i djalit të Rostkovskit për t’ia bërë me dije ushtarit se e kishte vrarë konzullin rus. Në këtë moment, ushtari shqiptar, i cili nuk e kuptonte gjuhën ose nuk dëshironte ta kuptonte, e kishte gjuajtur edhe mësuesin por ky, së bashku me karrocierin, kishin ikur me sukses nga vendi i ngjarjes.

Konzullata ruse dhe sllavët e Maqedonisë organizuan një funeral sikur që Rostkovski kishte qenë ndonjë hero sllav. Edith Durham, e cila ato ditë kishte qëlluar në Maqedoni, funeralin e konzullit e ka përshkruar në këtë mënyrë:

‘Aq mirë ishte inxhinieruar funerali i Rostkovskit sa që fshatarët vendas sllavë e shikonin atë sikur martir të kauzës sllave e jo si një njeri i cili ia solli vehtes dënimin e merituar’.

Rusia e shfrytëzoi këtë rast që t’i portretizonte shqiptarët si myslimanë konfliktuozë, anti krishterë, dhe si të tillë, anti evropianë. Kjo propagandë ruse, tërësisht pro sllave, ka vazhduar të krijoj efekte edhe gjatë kohës kur ekzistonte Bashkimit Sovjetik dhe ka depërtuar mjaft edhe në kokat e disa shqiptarëve. Sot, Rusia, me po të njejtën politikë, e cila e ka për qëllim zgjerimin e territoreve sllave ose zgjerimin e ndikimit të saj, e kërcënon jo vetëm Azinë dhe Ballkanin por tërë Evropën.