Interpretimi i një letre: Kur Edith Durham i shkruante George Bernard Shawit, për krimet serbe në Kosovë

george-bernard-shaw-e1535363595140-780x439

Historiani serb, Aleksandar Rastoviq, në librin e tij ‘Velika Britanija i Srbija 1903 – 1914’ (Britania e Madhe dhe Serbia, 1903-1914), një kapitull ia kushton Edith Durhamit. Në këtë kapitull, sikur edhe në tjerët, libri përmban mjaft pallavra dhe gënjeshtra. Por, çuditërisht, ka edhe disa trajtime të ngjarjeve dhe interpretime të fakteve që bëhen në mënyrë reale apo shkencore.

Dr. Daut Dauti

Shembull i trajtimit real është letra e titulluar ‘Common sense about the war’ të cilën Edith Durham më 1914 ia dërgon dramaturgut të njohur botëror, George Bernard Shaw (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1925). Në këtë letër Durham i shpjegon masakrat serbe ndaj shqiptarëve që ndodhën gjatë luftërave ballkanike, më 1912-1913. Ky është interpretimi i Rastoviqit:

‘Një hapësirë të letrës Durham ia kushton Kishës Pravosllave (Ortodokse) Serbe duke bërë me dije se kjo kishë është ndër më të përgjakshmet dhe më jotolerantet ndër të gjitha kishat për shkak se i ka detyruar myslimanët dhe katolikët që të konvertohen ose të vdesin. Ajo [Durham] ka shkruar që myslimanët e mjerë nuk kanë patur mbrojtje dhe u janë nënshtruar torturave, terrorit dhe therjeve. Ajo ka sjell edhe rastin e priftit françeskan të Gjakovës të cilin e kanë zhveshur lakuriq, e kanë rrahur dhe në fund e kanë therr me bajoneta për shkak se ka refuzuar të heqë dorë nga feja e tij. Ajo ka vënë në pah se austriakët kanë insistuar që të hetohet ky rast. Trupi është zhvarrosur dhe është vërtetuar tregimi i dëshmitarëve për këtë vrasje. Katolikët dhe myslimanët e shkretë kanë mundur të shpëtojnë jetët e tyre vetëm nëse e pranonin fenë pravosllave. Në vazhdim të letrës, në mënyrë që ta vërtetojë tezën e saj për qëllimet që kishte Serbia për të shkaktuar luftë botërore, ajo i citon fjalët e disa banorëve të Malit të Zi dhe Shkupit me të cilët ka biseduar: ’Ne jemi serfbofilë dhe i kemi mundur turqit. Ne jemi fuqi. Ne jemi rrezik për Evropën. Ne dëshirojmë ta djegim tërë Evropën. Do të fillojmë në Bosnjë me Sarajevën. Do të marshojmë deri në Vjenë. E kemi përkrahjen e plotë të Rusisë’ (faqe 344-5).

Ky libër do të ishte serioz sikur t’i trajtonte të gjitha rastet sikur këtë letër të Durhamit. Por, për fat të keq, pjesa dërmuese është joshkencore. Shumica e historianëve serbë, por edhe shqiptarë, mendojnë të jenë edhe shkencëtarë e edhe patriotë.